LSDM ende nuk ka siguruar 61 deputet, Zaevi dhe Ahmeti ende nuk janë takuar

Krerët e LSDM-së dhe BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti ende s’janë takuar, por kontaktet mes partive ekzistojnë, deklaroi sot nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.

“Po, ka kontakte të nivelit tjetër. Është e saktë se liderët ende nuk janë takuar, përveç takimit publik për të cilin opinioni ishte i informuar” tha Mançevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse ka pasur takim mes Zaevit dhe Ahmetit.

Ai konfirmoi se ende s’janë siguruar 61 nënshkrime nga deputetët.

“Procesi është në zhvillim e sipër, punojmë në sigurimin e tyre dhe menjëherë për formimin e Qeverisë. Opinioni do të njoftohet kur të ketë diçka më konkrete lidhur me këtë çështje”- tha Mançevski.

Në pyetjen nëse BDI në të vërtetë ka kërkuar postin e kryeministrit, Mançevski demantoi.

“Jo. Të gjitha informatat të këtij lloji janë spekulime, s’ka detaje më shumë nga ajo që u njoftua dje” tha më tej nënkryetari i LSDM-së.