Keqinformimi me deklaratën e Dodik përhap tituj për “luftë të re”

Milorad Dodik, kreu i Republikës Sprska, ka paralajmëruar se serbët e Bosnjës mund të shkëputen nga Bosnje-Hercegovina. Me këtë ‘kërcënim’ të përdorur edhe më parë për të shtyrë axhendën e tij politike në Asamblenë Parlamentare të Bosnjes, Dodik po kundërshton një projektligj mbi pronën shtetërore. Megjithatë, mediat shqiptare i kanë bërë fakt të kryer këto pretendime dhe shkrajnë se shkëputja e Republikës Srpska nga Bosnje Hercegovina është çështje javësh.

Lajmi i deklaratës së Milorad Dodik lidhur me pavarësinë e Republikës Srpska në rast të imponimit të ligjit për pronat, u pasqyrua gjerësisht në mediat e rajonit, fillimisht në gjuhë sllave, e më pas në shqip.

Por ndërsa pjesa dërrmuese e mediave u mjaftuan me citimin e deklaratës së Dodik, media të tjera, dashur ose padashur, përhapën propagandën e Republikës Srpska dhe të Dodik përmes titujve të ekzagjeruar, të pavërtetë dhe në mungesë të plotë të kontekstit të ngjarjes.

“Republika Srbska shkëputet nga Bosnja brenda disa javësh, lideri i serbëve, Dodik flet për luftë të re.” – njoftuan disa media shqiptare në fund të vitit 2023 kur Dodik refuzonte një ligj për pronën shtetërore, të imponuar nga Christian Schmidt, përfaqësuesi i Lartë për Bosnje Hercegovinën.

Nëse bën një kërkim në rrjet për deklaratat e tij në vite, kupton se kërcënimet e Dodik për një shkëputje të Republikës Srpska përsëriten në mënyrë sistematike.

Çfarë tha Dodik

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, në shtator 2023 vendosi se pronat shtetërore janë vetëm nën juridiksionin e shtetit boshnjak, dhe jo subjekteve të tij si Republika Srpska. Dodik beson se Christian Schmidt, përfaqësuesi i Lartë për Bosnje Hercegovinën do të imponojë një ligj të ri për zgjidhjen e situatës së pronave në Janar 2024.

“Menjëherë pas kësaj do të mblidhet Asambleja Kombëtare [e Republikës Srpska] dhe do të shpallet statusi i pavarësisë së Republikës Srpska”. – tha Dodik më 13 shtator në Banja Luka pas një takimi me përfaqësuesit e Republikës Srpska.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë iu përgjigj Dodikut duke theksuar se Reublika Srpska nuk ekziston dot pa Bosnje Hercegovinën.

SH.B.A e ka bërë të qartë në disa raste se do të veprojë për të kundërshtuar veprimet e anti-Dayton, dhe shkëputja është një veprim anti-Dayton. Milorad Dodik e ka gabim nëse mendon se SHBA-të do të qëndrojnë mënjanë ndërsa ai e shtyn BiH-në në konflikt”. – shkruan ambasada e SHBA në Sarajevë.

Pak ditë më pas, në një intervistë në televizionin Serb RS, Dodik përsëriti narrativën e tij të shkëputjes. Në këtë intervistë Dodik tha se amerikanët do të tërbohen dhe do të përpiqen të kërkojnë ndërhyrjepor beson se miqtë e Republika Srpska nuk do ta lejojnë të ndodhë, pa specifikuar cilët miq.

Kërcënim i përsëritur

Retorika separatiste e qeverisë së Republikës Srpska (RS), që është pjesë e Bosnje Herzegovinës (BiH), është intensifikuar gjatë javëve të fundit, por nuk është aspak pretendim i ri. Dodik e ka përdorur shumë herë gjatë viteve kërcënimin për shkëputje nga Bosnje Hercegovina si armë për betejat politike në përmbushje të agjendës së tij, herë herë edhe me deklarata kontradiktore.

Askush nuk mund të na ndalojë ne të bëjmë një referendum për shkëputje – thoshte Dodik në 2012-n, rreth një vit pasi kishte propozuar një referendum për shkeputje nga Bosnje Hercegovina, të kundërshtuar nga BE. Diskutimet për shkëputje vijuan edhe në vitin pasues 2013.

Deklaratat për pavarësi të Republikës Srpska nga Bosnje Hercegovina janë përsëritur vazhdimisht në vitet 20152017201820202021 dhe 2022.

Në tetor të 2021-shit Dodik e quante Bosnje Hercegovinën një “shtet të dështuar” dhe një “eksperiment perëndimor që nuk funksionon” por një muaj më pas, në nëntor 2021 i njëjti deklaronte se nuk do e sakrifikonte kurrë paqen në Bosnje, as për republikën Srpska.

Kontekst

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) është një institucion ndërkombëtar ad hoc përgjegjës për mbikqyrjen e zbatimit të aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes, që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Pozicioni i Përfaqësuesit të Lartë u krijua sipas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor 1995.

Dodik refuzon të njohë juridiksionin e Schmidt me argumentin se ai nuk ka marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me refuzimin e Rusisë dhe Kinës.

Në prill 2023, Schmidt anuloi një ligj mbi pronën shtetërore të miratuar nga asambleja e Republikës Srpska, që i jepte asaj të drejta mbi pronat qeveritare në RS.

Në qershor, Parlamenti i Republikës Srpska miratoi edhe një ligj që pezullonte njohjen e vendimeve të marra nga Gjykata Kushtetuese e BiH. Edhe ky ligj u anulua nga i dërguari ndërkombëtar i Bosnjës për paqen, Christian Schmidt, i cili pas këtyre vendimeve të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, vendosi ndryshimin e Kodit Penal të Bosnje Hercegovinës, duke përcaktuar se çdo veprim i paligjshëm që cënon rendin kushtetues do të trajtohet si vepër penale. Ndryshimet kriminalizojnë mosrespektimin dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe dënimi mund të jetë deri në pesë vjet burg.

Përfundim

Mosmarrëveshjet në Ballkan vijojnë të prodhojnë tituj të ekzagjeruar në media, të cilat në vend të informimit të drejtë, preferojnë të shpërndajnë lajme pa kontekst dhe me tituj karrem, duke i thirrur ndjesisë së frikës tek lexuesit për të fituar klikime.

Ky është rasti i lajmit të deklaratës së presidentit të Bosnje Hercegovinës, Milorad Dodik i cili vijon të përdorë si armë politike kërcënimin për shkëputje të Republikës Srpska nga Bosnje Hercegovina, që në disa raste u portretizua ne mediat shqiptare si ‘lufta e re në Ballkan’ që ‘pritet brenda disa javësh’.

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli