Besa: BDI nuk është e denjë të thirr takime të partive shqiptare

Zhurma që po bëhet për tryezën e përbashkët të rrumbullakët të partive parlamentare shqiptare është që disa parti politike të fitojnë pikë politike para zgjedhjeve lokale, thonë nga Lëvizja Besa.

Qëndrimi i Besës është se nuk pranon takim që është iniciuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Ata që ishin fajtorët kryesorë që Besës iu morën dy deputetë që t’i jepen VMRO DPMNE-së, nuk kanë më legjitimitet që t’i përfaqësojnë shqiptarët, e as nuk janë të denjë të thirrin takime të partive politike shqiptare në Maqedoni. Lideri i tyre mund të jetë kryeplaku i ndonjë partie apo aleance, por për ne ai është fajtori kryesor për gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoni. Për këtë shkak, nismat e këtilla, gjoja në emër të interesave shqiptare, por duke keqpërdorur tryezën e rrumbullakët, janë qëllimkëqija dhe për këtë e kanë vetëm rehabilitim për ato 15 vite që në mënyrë ekstreme shkatërruan interesin e shqiptarëve të Maqedonisë. Ai që dëshiron takime publike me Besën, që të mundet si Pilat t’i fshij duart nga veprat kriminale, s’mund t’ia lejojmë këtë kënaqësi”, thonë nga Besa.

Sipas kësaj partie, takimet që mbahen në emër të Platformës, më shumë ngjajnë bisedimeve për koalicion të BDI-së dhe Aleancës për shqiptarë. Nga partia më tej shtojnë se ende mbështesin Platformën dhe se partnerët e tyre do të votojnë për katër pikat kur të vijnë në rend dite në Kuvend.