“Besa” kërkon lirimin e të burgosurve për rastin e Sopotit

Lëvizja BESA e ka pranuar me indinjatë të thellë dhe shqetësim të madh publikimin e sotëm të bisedës mes ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Shefit të Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, nga dialogu i të cilëve për rastin “Sopot” merret vesh saktë e qartë se pse ata të dënuar më shumë se dhjetë vite janë kalbur nëpër burgjet e Maqedonisë. Përveç etiketimeve raciste “shiptari”, aty në mënyrë taksative kuptohet qartë se të burgosurit e Sopotit nuk kanë qëndruar në burg për shkak se kanë pasur faj për ndonjë vepër, por vetëm sepse ashtu janë marrë vesh zyrtarët shtetërorë, që e kanë kontrolluar gjyqësorin. Dhe, aq më keq, aty kuptohet se ata janë të pafajshëm, porse hesapi i pazarit mes partnerëve të koalicionit është ai që vazhdon t’i mbajë në burg.

Ky informacion është tejet shqetësues dhe brengosës për secilin njeri normal në këtë vend, por edhe për gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, që të tolerohet një shkelje kaq e madhe e të drejtave të njeriut. Derisa disa qytetarë të Maqedonisë, në këtë rast shqiptarë, janë kalbur disa vite nëpër burgje, disa politikanë kanë bërë pazare në kurriz të tyre dhe, siç pohon në fund të bisedës ministrja Jankullovska, BDI-ja nuk e bën këtë sepse e ka dertin e shqiptarëve që dergjen nëpër burgje, por se këtë e bën për përfitime politike.

Prandaj Lëvizja BESA reagon në mënyrën më të ashpër, duke bërë me dije se në Maqedoni nuk ka më kurrfarë vlere dinjiteti njerëzor, këtu nuk ka drejtësi dhe jeta e shqiptarëve në këtë shtet varet vetëm prej pazareve politike.

Me këtë rast nuk mund të mos e shtojmë edhe dyshimin tonë, tashmë të fuqizuar, edhe për proceset e tjera që janë zhvilluar kundër shqiptarëve ndër vite, ku spikat rasti “Monstra”, me ç’rast gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. Gjykuar sipas këtyre informacioneve, i bie që edhe pasi këta të rinj shqiptarë të kalben në burg, do të dalë në shesh e vërteta, porse do të jetë shumë vonë.

Nisur nga kjo, Lëvizja BESA – ashtu siç e kemi precizuar në platformën tonë “RIDEFINIMI” – i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndihmojë të krijohet urgjentisht një komision i pavarur i prokurorisë dhe gjyqësisë për rishqyrtimin e këtyre dhe rasteve të tjera, ndërsa pas këtij publikimi presim që të dënuarit në rastin “Sopot” të lirohen, të shpallen të pafajshëm dhe të dëmshpërblehen.