Ahmeti: Do të bisedojmë për opsionin që të qëndrojmë në opozitë

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti para fillimit të takimit të kryesisë qendrore të partisë tha se mundësitë janë të paktë që të ketë sot marrëveshje.

Në pyetjen e gazetarëve nëse sot BDI do të merr vendim final për dhënien e nënshkrimeve, Ahmeti tha se një prej opsioneve është qëndrimi në opozitë.

“Sot do të flasim rreth opsioneve për BDI-në të qëndrojë në opozitë” tha Ahmeti.

Kryesia qendrore duhej të filloj takimin në orën 10, por e shtyu për orën 13.

Dje lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në Sarajevë tha se BDI ka marrë vendim për t’ia dhënë nënshkrimet e LSDM për të formuar qeveri kah mesi i marsit.

“Mbrëmë e di se kryesia e BDI-së mori vendim që t’i sigurojë nënshkrimet dhe t’i japin pasi si parti e dytë në vend ishim të kushtëzuar nga presidenti i shtetit Gjorgje Ivanov që të sigurojmë nënshkrimet për marrjen e mandatit. Sipas kushtetutës tonë, ata duhet mandatin ta japin menjëherë, tashmë janë siguruar nënshkrimet për marrjen e mandatit, besoj se ka ngelur një pjesë e vogël e bisedimeve rreth formimit të pasi çështjet më të rëndësishme janë programi i ardhshëm qeveritar, platforma e Socialdemokratëve, platforma e partive shqiptare dhe ligji për përdorimin e gjuhës janë harmonizuar, këto ishin çështjet thelbësore. Ngel që të ulemi me kryetarët e partive tjera të merremi vesh për resorët, për kuadrot në pjesën e qeverisë dhe besoj se për 10- 15 ditë Maqedonia do të ketë qeveri të re në krye me LSDM-në, tha Zaev.