Ahmeti Hanit: Brukseli me patjetër të delgojë ekip politik

Më lejoni ju lutem që në emër të të gjithë neve pranë Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe në emrin tim personal, t’Ju falënderoj për vizitën tuaj në Shkup dhe takimin tonë të hapur dhe konstruktiv në këtë kohë sfiduese për vendin tim. Ashtu siç diskutuam edhe në takimin tonë të përbashkët, situata në vend është shqetësuese dhe kapacitetet demokratike të sistemit janë vënë në sprovë serioze. Prandaj, gjykoj që përfshirja imediate dhe e drejtpërdrejt e Brukselit, nëpërmjet të delegimit të një ekipi politik të përforcuar nga ekspert të hetuesisë dhe gjyqësorit, është e domosdoshme. Ky ekip i deleguar nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian do të siguronte të gjitha palët për një proces të paanshëm, me kredibilitet dhe integritet, që paraqet parakusht për përmbylljen e suksesshme të këtij rasti. Njëkohësisht, më lejoni ju lutem që edhe një herë të kthej vëmendjen tek nevoja e adresimit sa më të shpejtë të problemit më të madh të vendit tonë, çështjes së emrit, që po mban peng të ardhmen euroatlantike të qytetarëve dhe mund të tensionojë edhe marrëdhëniet ndëretnike. Ky kontest duhet të mbyllet sa më shpejt, por zgjidhja nuk arrihet dot pa përfshirjen intensive të Brukselit dhe Uashingtonit në ndërmjetësim midis Shkupit dhe Athinës. Puna jona e përbashkët për të arritur paqen dhe për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme në vend nuk mund të konsiderohet si e përfunduar dhe e rumbullaksuar pa integrimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, thuhet në letrën e liderit të BDI-së Ali Ahmeti.