Ahmeti: Ekziston mundësia për nxitjen e përplasjeve në vend për interesa gjeopolitike

Qeveria e re reformuese do të formohet së shpejti ndërsa kryetari sapoemëruar i Kuvendit po kryen pjesën e tij të obligimit që të lehtësohet dhe të përshpejtohet ky proces, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në takimin e djeshëm me përfaqësuesin e posaçëm të OSBE-së, ambasadorin Kristian Shtrohal dhe ambasadoren e OSBE-së në Maqedoni, Nina Suomalainen.

Ahmeti dhe Shtrohal kanë biseduar për situatën politike në vend pas ngjarjeve në Kuvend më 27 prill. Në këtë kontekst, lideri i BDI-së ka falënderuar misionin e OSBE-së në Maqedoni për kontaktin e vazhdueshëm me deputetët gjatë momentet e dhunës në Kuvend.

Ahmeti siç njoftojnë nga BDI, në takim ka biseduar për prioritetet e Qeverisë së re, siç janë reformat në gjyqësor, integrimet euro- atlantike, Marrëveshja kornizë e Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe fqinjësore si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Njëkohësisht, kreu i partisë ka shprehur shqetësim për “mundësinë për nxitjen e trazirave në vend për interesa gjeopolitike” dhe ka kërkuar komuniteti ndërkombëtarë fokusin e tij ta drejtoj kah ngjarjet në vend dhe rajon.