Fëmijët në Tetovë me porosi: Ndërrojmë lodrat për ajër të pastër

Shoqata Nëna dhe Fëmija nga sheshi i Tetovës dërguan mesazhin se janë të gatshëm ti ndërrojnë lodrat e fëmijëve të tyre për ajër më të pastër.

“Sot kemi ardhur këtu për të mbështetur lëvizjen Nëna dhe Fëmija që përmes një marshi protestues shënojnë ditën e ekologjisë, është pak ironike të shënohet dita e ekologjisë në një qytet që vuan nga një gjenocid ekologjik dhe aq më tepër në një vend ku nga 365 ditë të vitit kemi pasur 310 ditë të helmuara. Ne sot këtu nuk jemi për të festuar sepse nuk kemi arsye për të festuar por jemi që edhe një herë të shprehim pakënaqësinë ndaj autoriteteve”, u shpreh Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.

Në protestën e sotme të lëvizjes “Nëna dhe Fëmija” doli edhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Drejtuesit e organizatave joqeveritare thonë se protesta nuk do të ndalen deri në mbylljen e kombinatit të Jugohromit i cili heziton të zbatimin e standardeve ekologjike apo vendosjen e filtrave kundër ndotjes së ajrit.

Të pranishëm ishin qindra protestues të cilët kërkuan nga politikanët që të angazhohen me shumë për të siguruar ajër më të pastër për gjithë qytetarët veçanërisht për ardhmërinë e brezave të rinj.