Nishani: Disa figura politike në Maqedoni nxitin ndasi artificiale

Deklaratat e fundit të “disa figurave politike” në Maqedoni nxitin ndasi artificiale dhe urrejtje ndëretnike dhe dëmtojnë Maqedoninë dhe perspektivën e saj euro- atlantike, tha presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, në intervistë për kanalin televiziv ABC.

Ai tha se mbështet Platformën e partive shqiptare sepse ajo do të sigurojë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që sipas Nishanit, deri tani nuk është zbatuar në parametrat e parapara.

Duke mos e përmendur homologun e tij me emër, Nishani në mënyrë diplomatike komentoi fjalimin e Ivanovit, me të cilin presidenti maqedonas refuzoi t’ia jep mandatin për Qeveri LSDM-së, edhe pse partia mori mbështetjen dhe nënshkrimet nga të gjitha partitë politike të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Fatkeqësisht, deklarat e para do kohe të disa figurave politike në Maqedoni janë deklarata që nxitin ndasi artificiale dhe urrejtje ndëretnike, që është e dëmshme për Maqedoninë, për qytetarët e vendit dhe për perspektivën euro- atlantike të Maqedonisë”, porositi Nishani.

Presidenti i Shqipërisë duke folur për ngjarjet e fundit politike në Maqedoni, në intervistë thotë se shteti shqiptar nuk përzihet në politikën e brendshme të Maqedonisë. Megjithatë, ai vuri në dukje se Shqipëria ka obligim kushtetues që t’i mbështes dhe të interesohet për respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh ku jetojnë.