Të përgjuar kanë qenë Jankulloska, Janakieski, Ahmeti, Thaçi dhe Boshkoski, por jo edhe Gruevski

Ish ministrja e brendshme, Gordana Jankulloska, ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti janë pjesë e politikanëve që janë përgjuar në mënyrë joligjore, zbuloi prokurorja speciale, Lençe Ristoska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë publikimit të lëndës së sotme “Shënjestra”.

Ajo zbuloi se ish kryeministri Nikola Gruevski nuk ka qenë i përgjuar ndërsa politikanët tjerë janë përgjuar me disa numra telefoni që i kanë poseduar.

Në këtë mënyrë, sipas dëshmive që i ka marrë PSP, Jankulloska në mënyrë joligjore është ndjekur 732 ditë, Janakieski në një numër telefoni është ndjekur 732, në numrin tjetër 533 ditë ndërsa në numrin e tretë 816 ditë.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në numrin e parë është ndjekur 338 ndërsa në numrin e dytë 867 ditë.

Numri një i PDSH-së, Menduh Thaçi në numrin e parë është ndjekur të paktën 1257 ditë ndërsa Lube Boshkoski 320 ditë.

“Lista e politikanëve të ndjekur është shumë e gjatë” shtoi prokurorja Risteska.