Do të formohet Komisioni Anketues për “fabrikën e letërnjoftimeve të falsifikuara”

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot e pranoi Propozim-vendimin për formimin e Komisionit anketues për rastin “Fabrika për falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave dhe dokumenteve tjera”.

Iniciativa është parashtruar dhe mbështetur nga 62 deputetë nga VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe PDSH-ja.

“Nga opinioni mësojmë, ndërsa nga kumtesat zyrtare nga Prokuroria publike marrim vërtetim se në një vend janë gjetur lista me 120 mijë identitete të vjedhura të qytetarëve, numër i madh i pasaportave të falsifikuara, jo vetëm nga Republika e Maqedonisë, por edhe nga Bullgaria dhe Turqia, që këtij skandali i jep edhe karakter ndërkombëtar”, theksoi koordinuesi i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, duke e elaboruar iniciativën për parashtrim të këtij Propozim-vendimi.

Ai shtoi se obligimi i tyre është e vërteta që ky rast  të dalë para opinionit.

Komisioni anketues, siç theksoi. do të ketë për obligim të sigurojë kushte të pastra për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 24 prill. Vendimi, tha Dimovski, është bërë sipas konceptit të njëjtë dhe dispozitave të njëjta siç ishte bërë Propozim vendimi për formimin e Komisionit anketues për përgjimin e bisedimeve.

Opozita kërkoi që Propozim-vendimi të shfuqizohet nga rendi i ditës sepse, siç tha Petre Shilegov, çështja që u propozua si përmbajtje për punën e këtij komisioni veçmë është pranuar me Komisionin anketues tani më të formuar në bazë të Marrëveshjes së Përzinos.