Veshi i kujt ishte, dhe me urdhër të kujt dëgjonte?

Kryeministri Nikolla Gruevski në paraqitjen e tij para opinionit, kishte shpjegim voluminoz, të ashpër dhe kontrovers për ngjarjet në aferën “Puçi” dhe atributin e tij ndoshta kryesorë- përgjimin e bisedave telefonike.

Pohimet e kryeministrit për shërbimin e huaj i cili qëndron pas bisedave të regjistruara, për mënyrat si është bërë kjo dhe për ndërhyrjen në sistemin e sigurisë, gjithashtu shkaktuan reagime të ashpra.

Profesori universitar Stefan Buxhakoski, lidhur me këto pohime, por edhe me atmosferën në përgjithësi në shtet, thotë se fakti që shërbimet e huaj të zbulimit përgjojnë nuk është kurrfarë risie, por më shumë brengos ndërhyrja e partive në sistemin vendor të sigurisë, ndasia e tyre dhe veprimi për interesa personale, që nuk shkojnë në favor të shtetit.

-Në Maqedoni për herë të dytë ndodh që të publikohen biseda të përgjuara në qëllime politike, që nuk është mirë. Nuk mendoj se bëhet fjalë për ndërhyrje në shërbimet e sigurisë nga anash, por ne, përgjatë viteve, nuk arritëm të përdorim sistemin e sigurisë në dobi të qytetarëve. Përgjegjësia shkon edhe për liderët politik, pa marrë parasysh a janë në pushtet apo opozitë, të cilët duhet t’i lënë shërbimet të kryejnë punën e tyre. Pas ngjarjeve të fundit, partitë patjetër duhet të ulen në tavolinë dhe të ndërtojnë kod të sjelljes politike, ku interesi kryesorë do të jetë Maqedonia- thotë Buxhakovski.

Ndërsa kolegu i tij Vlladimir Pivovarov me rezervë i sheh pohimet për përfshirjen e shërbimeve të huaja në aferën e përgjimeve.

-Ne nuk e dimë a është kështu. Kjo duhet të dëshmohet. Nëse ndonjë shtet i huaj, përmes shërbimit të vet të zbulimit ka ndërmarrë këso veprime, kjo do të shkaktonte skandal diplomatik me përmasa të mëdha dhe do të ishim dëshmitarë të gumëzhimit nga demarshet e deri në dëbimin e përfaqësuesve demokratik. Nga ana tjetër, qëllimi i shërbimeve të huaja janë një grup i vogël njerëzish prej të cilëve kanë interes në baza të ndryshme, ndërsa këtu, sipas një burimit, bëhet fjalë për përgjim të 20 mijë personave- thotë Pivovarov.

Për pajisjen mobile e cila gjoja është përdorur, profesori thotë se nëse ka pasur klonik të stacioneve  bazë, operatorët celular me siguri këtë do ta kishin vërejtur dhe patjetër është dashur të denoncojnë.

-Bëhet fjalë për lëvizjen e kësaj pajisje mobile në qendër të Shkupit, por çfarë bëjmë me stacionet bazë jashtë kryeqendrës. Kjo ndjekje e komunikimeve është e realizueshme, por jo edhe e sigurt në kuptim të asaj që nuk mund të zbulohet. Operatorët celular do ta kishin vërejtur këtë përmes ndryshimit të sinjalit dhe për këtë, sipas ligjit, e kanë pasur patjetër t’i informojnë shërbimet- vlerëson Pivovarov.

Për kohën që sugjerohet, se përgjimi ka zgjatur disa vite, ai thotë se nëse është ashtu, atëherë shërbimet “nuk janë profesional, por kot fare”.

-Shërbimet kushtojnë vëmendje të madhe parandalimit të aktiviteteve të këtilla e këtë edhe bëjnë edhe shërbimet tona. Por, nëse këtu janë përgjuar funksionarët më të lartë shtetërorë, atëherë sistemi i sigurisë është “kot fare”. Përfaqësuesit e organeve më të larta shtetërore sipas të gjitha parametrave të sigurisë përdorin telefona të koduar me enkripsion të posaçëm. Unë kam përdorur të tillë kur kryeja funksion në sektorin e sigurisë. Por, këtu ka edhe një problem tjetër që të gjithë ne kapemi për aspektin teknik të përgjimit, por jo edhe për përmbajtjen e bisedave, të cilat ndoshta jo drejtpërdrejtë, por në mënyrë indirekte tregojnë për vepra të kryera penale- thotë Pivovarov, duke shtuar se vet nxjerrja e detajeve nga procedura gjyqësore nga ana e përfaqësuesit të pushtetit ekzekutiv, flet se në shtet është shkelur shkenca juridike dhe i tërë sistemi juridik.