Maqedoni Matematikë qeveritare: 49+10+5+3 ose 49+10+5+3+2 ose 51+10+2 ose 51+10+3+2?

Matematikë qeveritare: 49+10+5+3 ose 49+10+5+3+2 ose 51+10+2 ose 51+10+3+2?

Pasi KSHZ njoftoi se edhe pas rivotimit në Tearcë, proporcioni mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së edhe më tej ngel 51-49, fillojnë afatet për formimin e qeverisë së re si dhe kombinimet e mundshme dhe formulat matematikore, ku të gjithë si numër esencial e kanë shifrën prej së paku 61 deputet.

Në pritje të rezultateve zyrtare dhe finale, partitë në zgjedhjet e jashtëzakonshme fituan këto vende deputetësh:

VMRO DPMNE – 51; LSDM – 49; BDI – 10; Lëvizja Besa – 5: Aleanca për shqiptarët – 3 dhe PDSH – 2.

Nëse merret kjo parasysh, janë të mundshëm këto katër skenarë:

  1. Koalicion qeveritar mes LSDM, BDI, Besës dhe Koalicionit për shqiptarë me shumicë prej 67 vende deputetësh në Kuvend (49+10+5+3);
  2. Qeveri me LSDM, BDI, Besën, Aleancën dhe PDSH me 69 deputetë (49+10+5+3+2);
  3. Qeveri me VMRO DPMNE, BDI dhe PDSH me shumicë prej 63 deputetë (51+10+2);
  4. Qeveri me VMRO DPMNE, BDI dhe Aleancën me 66 deputetë ( 51+10+3+2);

Kjo është matematika e “hareshme” dhe kombinimet e mundshme për koalicion eventual qeveritar, ku duhet të kihet parasysh se nga lëvizja Besa deri më tani kategorikisht deklaronin se në asnjë rast nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti këtë javë do të tentoj t’i grumbulloj në bisedime të gjitha partitë shqiptare që kanë fituar mandate ndërsa nga takimi eventualisht mund të del platformë e përbashkët, me të cilën do të futen në bisedime me partitë e bllokut maqedonas.

Në ndërkohë, numri një i LSDM-së, Zoran Zaev javën e kaluar u bëri thirrje partive shqiptare të mos bëjnë koalicion me VMRO DPMNE. Ai disa herë tha se në zgjedhje ka fituar koncepti i LSDM-së, për ndryshime demokratike në shtet dhe se Maqedonia “do të fitoj qeveri që do të punoj në interesin e të gjithë qytetarëve në shtet”, më pas hapur duke aluduar se ai do të jetë kryeministri i ri.

Tone të ngjashme vijnë nga VMRO DPMNE, prej ku thonë se ata janë fitues në zgjedhje dhe ngelin “të përkushtuar për hapat e ardhshëm rreth formimit të qeverisë së re” për përpilimin e të cilës, mandati i takon kreut të partisë, Nikolla Gruevski.