Maqedoni MPJ për “Meta”: Daciq ka frikë që fluksin e shovinizmit t’i drejtoj...

MPJ për “Meta”: Daciq ka frikë që fluksin e shovinizmit t’i drejtoj kah fuqitë e mëdha

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daciq ka frikë që fluksin e shovinizmit ta shpreh drejt fuqive të mëdha që e pranuan Kosovën, dhe për këtë konfrontohet me vendet më të vogla të Evropës, thonë për “Meta” nga Ministria e jashtme e Maqedonisë, pas deklaratës së fundit të shefit të diplomacisë serbe, ku pyetet pse Maqedonia është anëtare në organizatat ndërkombëtare me referencë e jo me emrin kushtetues.

“E pyesim Daciqin, pse kështu nuk konfrontohet me shtetet që e pranuan Kosovën siç është SHBA, Gjermania, Britania e Madhe, mikja tradicionale Franca, Italia me të cilën kanë seanca të përbashkëta në Qeveri etj. T’i pyesim pse nuk bëjnë gjeste të ngjashme ndaj qindra shteteve në botë që e pranuan Kosovën dhe pse me kolegët e këtyre shteteve Daciq nuk realizon takime? Pse negociojnë me BE-në ku mbi 80% e shteteve e kanë pranuar Kosovën? Pse tenton të ketë raporte të mira shtetërore dhe personale me Merkelin, Olandin, Mejin dhe ministrat e tyre të jashtëm, shtete të cilët në grupin e parë e pranuan Kosovën? Pse tani para zgjedhjeve presidencial në Serbi i është kujtuar të konfrontohet me vendet më të vogla të Evropës, siç është Maqedonia apo Mali i Zi? Apo Daciqi ka frikë që fluksin e shovinizmit ta derdh ndaj 134 vendeve në veçanti ndaj fuqive të mëdha? Përfundimisht, Daciq mund të gjejë mënyrë më të thjeshtë që t’u paraqitet votuesve serb”, komentojnë nga MPJ-ja e Maqedonisë.

Daciq dje, lidhur me kërkesën e MPJ-së së Maqedonisë që mos të përdoret referenca IRJM nëpër pikat e pagesës pasi është ofenduese, deklaroi se edhe për Serbinë është ofenduese përdorimi i emrit “Republika e Kosovës”. Ai më pas pyeti pse Maqedonia nuk del nga KB, Këshilli i Evropës, OSBE dhe takimet me BE-në, ku figuron me referencën IRJM.

““Pse qëndrojnë me këtë emër ndërsa tani kanë problem me llogarinë ku shkruan e njëjta fjalë? Serbia nuk ka ndryshuar qëndrimin për pranimin e Maqedonisë, por edhe Serbia është e ofenduar dhe është e turpshme kur ata thonë “Republika e Kosovës”, tha Daciq.

Shefi i diplomacisë serbe në fillim të vitit në intervistë për agjencinë e lajmeve “Beta” tha se Serbia ka gabuar që e ka pranuar Maqedoninë nën emrin kushtetues, sepse Maqedonia e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Ai tha se në raportet dypalëshe me Shkupin do ta përdor emrin kushtetues, por se në aspekt multilateral do ta përdor shkurtesën IRJM, që e përdor BE dhe KB.

u.