Maqedoni Deputetët votuan ndryshimet e Kodit zgjedhor

Deputetët votuan ndryshimet e Kodit zgjedhor

Deputetët me 92 vota “për”, tre “kundër” dhe një “abstenim” me procedurë të shkurtër votuan ndryshimet e Kodit zgjedhor që u ngritën nga deputetë Ilija Dimovski VMRO DPMNE, Goran Sugareski LSDM, Artan Grubi Bdi dhe Imer Aliu, PDSH.

Këto ndryshime janë pjesë e marrëveshjes së arritur mes partive të mërkurën për daljen e vendit nga kriza.

“Ligji është I shkurtë dhe përbëhet prej 3 neneve. Duke pasur parasysh se partitë janë obliguar që të ruhen afatet, propozoj të votojmë sot” tha Dimovski.

Deputetja e pavarur Solza Gërçeva tha se marrëveshja e arritur është farsë dhe se numri i votuesve kontestues në Listën zgjedhore është qesharak. Sipas saj, zgjidhja është që të bëhet regjistrim e jo të pastrohet lista zgjedhore.

“Farsa me Marrëveshjen e Përzhinës po vazhdon dhe nuk e di pse kaloi 1 vit, me përbërje të re të KSHZ-së dhe nga kjo asgjë nuk fituam. 39.500 persona kontestues. Secili e ka të qartë se Maqedonia s’mund të ketë 1,8 milionë votues, por ju firmosët marrëveshje. Nuk e kam të qartë pse për këto votues të ketë regjistrim aktiv. Mashtrim të këtill nuk ka askund në botë. Shifra është qesharake. Qytetarët janë viktimë e këtij raporti joserioz” tha Gërçeva.

Më herët, deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi propozoi që propozim- ligji të tërhiqet nga rendi i ditës për shkak të një gabimi teknik dhe të harmonizohet teksti, por propozimi i tij nuk u pranua.