Maqedoni Bejli bisedoi me Gruevskin për zgjedhjet dhe paralajmëroi takime edhe me liderë...

Bejli bisedoi me Gruevskin për zgjedhjet dhe paralajmëroi takime edhe me liderë tjerë

Ambasadori i SHBA-së në Shkup, Xhes Bejli, sot është takuar me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në selinë e partisë, në të cilën është diskutuar për zgjedhjet që u mbajtën më 11 dhjetor dhe për hapat e ardhshme të partisë.

Bejli në deklaratë të shkurt theksoi se SHBA është partner i Maqedonisë dhe paralajmëroi takime edhe me liderët tjerë të partive politike.

“Sapo kisha takim me Gruevskim dhe vlerësoj faktin që kisha mundësi të dëgjoj qëndrimin e tij për zgjedhjet dhe hapat tjerë. E dini se SHBA-të janë partner i këtij vendi. Do të ketë takime të këtilla edhe me liderët tjerë” tha Bejli.

Ndryshe, takimi i Bejlit me kreun e VMRO DPMNE-së vjen një ditë pas protestave para selisë së KSHZ-së, ku drejtori i arkivit të shtetit, Filip Petrovski, edhe pse nuk e përmendi me emër dhe mbiemër, megjithatë qartë aludoi në ambasadorin amerikan, ku i porositi “që të largohet nga Maqedonia dhe të mos provokoj më”.

Në pyetjen e “Meta” si i komentojnë sulmet e djeshme verbale ndaj diplomatëve në Maqedoni, fjalorin e urrejtjes dhe apelet për ekzekutim, nga ambasada e SHBA-së u përgjigjën se zgjedhjet kanë qenë të ngushtë dhe është e natyrshme që tensionet janë ngritur dhe u bënë thirrje partive politike që të mundësojnë procesi i ankesave të zhvillohet sipas ligjit, në mënyrë korrekte, transparente dhe të qetë.