Maqedoni MPB: Katër persona me emrin Ahmad Almohamed kanë kaluar përmes Maqedonisë

MPB: Katër persona me emrin Ahmad Almohamed kanë kaluar përmes Maqedonisë

Policia maqedonase ka regjistruar katër refugjat me prejardhje siriane që kanë tranzituar përmes Maqedonisë me emrin Ahmad Almohamed i cili dyshohet se ka kryer sulmin kamikaz në Paris, të premten e kaluar, njoftojnë për “Meta” nga MPB.

Prej këtij dikasteri në të gjithë katër rastet, personat kanë pasur të dhëna të ndryshme dhe se kanë pasur dokumente greke, por jo edhe pasaporta.

“Deri më tani janë regjistruar katër persona me emrin dhe mbiemrin e njëjtë, të gjithë nga Siria, me vit të ndryshëm të lindjes dhe me data dhe orë të ndryshme të hyrjes në RM. Nga kontrollet e kryera është konstatuar se të gjithë katër personat kanë pasur dokumente greke” thuhet në përgjigjen e MPB-së në pyetjet tona.

Në lidhje me informacionin që e njoftoi gazeta greke “Prototema” sipas të cilës, së bashku me Ahmad Almohamed ka udhëtuar edhe një person me emrin Mohamed Almohamed, nga MPB thonë se nuk ka të dhëna për person i cili me këtë identitet është futur në Maqedoni.

“Sipas kontrollimeve nëpër evidencat, është konstatuar se personi Mohamed Almohamed deri më tani nuk është regjistruar dhe nuk ka të dhëna se është futur në RM” thuhet në kumtesën e MPB.