Maqedoni Han: KSHZ ka kohë të mjaftueshme që të përgatit listën e zgjedhësve

Han: KSHZ ka kohë të mjaftueshme që të përgatit listën e zgjedhësve

Ka kohë të mjaftueshme për të kryer punët që kërkohen nga organet relevante për të krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Kështu ka deklaruar eurokomesari, Johanes Han, pas takimit të tij bilateral me ministrin e Jashtëm, Nikolla Popovski. Sipas tij, nuk ka elemente që mund t’a pengojnë mbajtjen e zgjedhjeve në datën e caktuar dhe është i bindur se punët po shkojnë në drejtimin e duhur.

“Padyshim se duhet të mbahen zgjedhjet. Organet qeveritare, veçanërisht KShZ, bëjnë gjithçka çka është në fuqinë e tyre për  përgatitjen e listës zgjedhore, e cila nuk është kontestuese nga asnjë palë. Unë nuk kam indikacione se kjo është e pamundur. Kjo ishte arsyeja përse bashkësia ndërkombëtare bëri presion të  shtyhen zgjedhjet, por tani duhet të ketë kohë të mjaftueshme të bëhet gjithçka që është e nevojshme. Kemi marrëveshjen e famshme të qershorit dhe korrikut, ndërsa pika finale e marrëveshjes ishin zgjedhjet fer dhe të njohura ndërkombëtarisht, e që do të jenë bazë për zhvillimin e ardhshëm të vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për rrugën euroatlantike” deklaroi eurokomisari për zgjerim, Johanes Han.

Zgjedhjet e 5 qershorit ishin temë bisede mes Han dhe ministrit të jashtëm Nikolla Poposki në margjinat e konferencës ku palët janë pajtuar se zgjedhjet janë rruga më e mirë për Maqedoninë që të kthej agjendën për të filluar bisedimet për anëtarësim.