Maqedoni Lënda “Puçi” anulohet sërish, përplasen Janeva dhe gjykatësja

Lënda “Puçi” anulohet sërish, përplasen Janeva dhe gjykatësja

Përplasja e ashpër mes prokurores speciale, Katica Janeva dhe gjykatëses Lubinka Bashevska ngriti tensione në seancën e sotme të rastit “Puçi”, që sërish u anuluar, por këtë herë në afat të papërcaktuar. Arsye për përplasjen dhe reagimin e Janevës ishte emërimi i dy gjykatësve të reja nga juria, të cilat nuk kanë certifikatë, për çka Bashevska anuloi seancën.

Në fillim të seancës, gjykatësja njoftoi se gjykatësja e jurisë Olga Kërstevska është shkarkuar nga obligimi me kërkesë të saj ndërsa për anëtar të ri të jurisë është emëruar Vanja Shteriova. Me vendim të B ashevskës, e me kërkesë të anëtarëve të Këshillit gjyqësor, si anëtarë plotësues është emëruar edhe gjykatësja e jurisë, Liljana Ivanovska. Pikërisht këto dy gjykatëse të jurisë, siç tha Bashevska, nuk kanë siguruar certifikatë dhe me procedurë urgjente është filluar nxjerrja e kësaj certifikate. Megjithatë, gjykatësja tha se s’mund të dihet deri kur do të zgjat procedura e nxjerrjes dhe për këtë anuloi gjykimin për kohë të papërcaktuar ndërsa data se kur do të mbahet do të publikohet në mënyrë plotësuese.

Ndaj kësaj reagoi ashpër Janeva, e cila nxori certifikatën e saj dhe kërkoi që këtë ta bëjnë edhe gjykatësja Bashevska dhe anëtarët tjerë të Këshillit gjyqësor. Këtë gjykata e refuzoi ndërsa Janeva me tone të ashpra iu drejtua gjykatëses, duke i thënë: “Çfarë i ngjan kjo”. S’mund ta anuloni gjykimin në kohë të papërcaktuar. Si nuk keni turp, tërë vitin anuloni lëndën dhe manipuloni me opinionin”.