Maqedoni Hojt Ji megjithatë prej nesër do të ketë takime me Ivanovin, por...

Hojt Ji megjithatë prej nesër do të ketë takime me Ivanovin, por edhe me Xhaferin dhe liderët e partive

Zëvendës- ndihmës sekretari shtetëror i departamentit shtetëror në Evropë dhe Euro- Azi, Hojt Brajan Ji nesër pritet të arrijë në Shkup në vizitë dyditore, ku do të takohet me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, liderët e partive politike dhe siç thonë nga ambasada, “kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi”.

“Hojt Brajan Ji, zëvendës- ndihmës sekretari shtetëror i departamentit shtetëror në Evropë dhe Euro- Azi do ta vizitoj R. e Maqedonisë më 30 prill dhe 1 maj të vitit 2017. Ji do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov, kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin, liderët e partive politike, Nikola Gruevskin, Zoran Zaevin, Ali Ahmetin, Bilall Kasamin, Vesel Mehmedin dhe Menduh Thaçin si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetit diplomatik. Në këto takime do të diskutohet për statusin e formimit të Qeverisë, raportet dypalëshe dhe reformat e nevojshme për integrim euro- atlantik”, thuhet në kumtesën e ambasadës amerikane.

Një pjesë e politikanëve me të cilët duhet të takohet Hojt Ji janë të lënduar gjatë incidenteve të dhunshme në Kuvend para dy ditëve kur një grup qytetarësh pjesë e nismës “Për Maqedoni të përbashkët” u futën në Kuvend ku u lënduan deputetë, gazetarë, policë dhe qytetarë.

Në agjendën e Hojt Ji nuk gjendet deputeti më i lënduar, lideri i Aleancës për Shqiptarë, Zijadin Sela i cili është i hospitalizuar në KARIL. Në vend të tij, Ji do të takohet me deputetin Vesel Mehmedi.

Zyrtari i lartë amerikane megjithatë do të takohet me presidentin e shtetit Ivanov, edhe pse paraprakisht nuk ishte e paraparë takim i tillë. Nga kabineti i Ivanov para 3 ditëve njoftuan se presidenti për shkak të obligimeve është i zënë dhe se s’mund të takohet me Hojt Ji, por pas dhunës në Kuvend, nga kabineti i Ivanov njoftojnë se obligimet e planifikuara në agjendën e presidentit janë anuluar, që të mund të ketë eventualisht takim liderësh, të cilin ai e kishte kërkuar natën e incidenteve.

Departamenti i shtetit fuqishëm ka dënuar dhunën në Kuvend dhe u ka bërë thirrje autoriteteve që të garantojnë sigurojnë e të gjithë anëtarëve të Kuvendit si dhe të thirren për përgjegjësi ata që e kanë kryer aktin e dhunës.