Maqedoni Eurodeputetët grekë e qortuan Mogerinin për përdorimin e emrit Maqedoni

Eurodeputetët grekë e qortuan Mogerinin për përdorimin e emrit Maqedoni

“Prandaj ne me mirësi kërkojmë prej jush të vazhdoni me të gjithë hapat e domosdoshëm me qëllim që të përmirësohet dhe në të ardhmen të shmanget kontradikta e lartshënuar”, e porositën Andrulakis dhe Kaili, Mogerinin.

Eurodeputetët e PASOK-ut, Nikos Andrulakis dhe Eva Kaili i kanë dërguar letër zëvendëskryetares së Komisionit Evropian, Federika Mogerinit në të cilën protestojnë kundër asaj se ajo e ka përdorur termin Maqedoni në një konferencë shtypi në Bruksel.

“E nderuara përfaqësuese e lartë – Zëvendëskryetare e Komisionit Evropian, me këtë letër, ne dëshirojmë ta shprehim befasinë dhe brengosjen tonë në lidhje me përgjigjen të cilën e dhatë gjatë konferencës për shtyp për propozimin e politikës evropiane për fqinjësi, në të cilën duke folur për vizitën tuaj të fundit në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), e quajtët vendin me termin ‘Maqedoni’ “, shkruajnë eurodeputetët grekë.

Ata theksojnë se sipas konstatimeve të dhjetorit të vitit 2005 në Këshillin e punëve të përgjithshme dhe marrëdhënieve të jashtme, “derisa nuk arrihet zgjidhje e pranueshme për çështjen e emrit me Greqinë, BE-ja do të vazhdojë ta përdor emrin e përkohshëm të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) në të gjitha dokumentet dhe forumet e BE-së”.

Krahas kësaj, ata e përkujtojnë Mogerinin se “në një Vërejtje për drejtorët e përgjithshëm dhe shefat e serviseve, e bërë nga ana e Sekretares së përgjithshme, Ketrin Dej më 27 gusht, 2014 është theksuar se duhet të respektohet praktika zyrtare që ka të bëjë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në të gjitha dokumentet dhe konverzimin e përgatitur nga ana e Komisionit, duke shtuar se emri Republika e Maqedonisë apo Maqedonia’ nuk duhet të përdoret nga ana e Komisionit”.

“Prandaj ne me mirësi kërkojmë prej jush të vazhdoni me të gjithë hapat e domosdoshëm me qëllim që të përmirësohet dhe në të ardhmen të shmanget kontradikta e lartshënuar”, e porositën Andrulakis dhe Kaili, Mogerinin.