Maqedoni As me VMRO DPMNE-në e as me LSDM-në nuk kemi dallime për...

As me VMRO DPMNE-në e as me LSDM-në nuk kemi dallime për përdorimin e gjuhës shqipe, deklaroi Osmani

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani mbrëmë në emisionin “Top Tema” në Telma deklaroi se nuk kanë  as me VMRO DPMNE-në e as me LSDM-në dallime për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Për herë të parë s’kemi dallime me VMRO DPMNE-në dhe LSDM-në për çështjet etnike. Nëse deri tani e tërë dilema ka qenë rreth nenit 5 të Kushtetutës nëse përdorimi i gjuhës shqipe është në nivel lokal apo në nivel të shtetit, ju them se s’kemi dallime lidhur me çështjet etnike. Ky është një mesazh i qartë se me dy partitë maqedonase jemi në fazë që mos të kemi dallime. Kjo është arritje e madhe në raportet maqedonase- shqiptare që vetëm duhet të materializohet”, tha Osmani.

Në emision ai gjithashtu tha se në bisedimet me VMRO DPMNE-në nuk kanë arritur të merren vesh për pikën që ka të bëjë me shtetin e të drejtës më saktë për PSP-në dhe rekomandimet e Pribes.

Ai gjithashtu theksoi se BDI do t’i jep nënshkrimet e saj pasi të arrihet marrëveshje për qeverinë e re.

“Po degradohet procesi elementar, nëse thjeshtëzohet në dhënien e nënshkrimit. Deklaratavisht nuk duhet të jepen nënshkrimet. Kur do të ketë marrëveshje për Qeveri, atëherë do të hedhim nënshkrimin tonë. BDI nuk do të lejojë procesi të thjeshtëzohet me dhënien e nënshkrimeve” deklaroi Osmani.

Zëdhënësi i BDI-së tha se procedura për dhënien e mandatit për qeverinë e re mund të zgjat deri në pafundësi sepse për momentin nuk ka afat deri kur duhet të dorëzohen nënshkrimet për mandat, e nëse ka mandat atëherë afati është 20 ditë.