Maqedoni Ahmeti: Nuk kemi dallime të mëdha me LSDM-në rreth propozimit për përdorimin...

Ahmeti: Nuk kemi dallime të mëdha me LSDM-në rreth propozimit për përdorimin e gjuhës shqipe

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se nuk kanë biseduar për nënshkrimet për marrjen e mandatit për qeverinë e re.

“Gjuha shqipe në Kushtetutën e Maqedonisë është e garantuar. Ne këto ditë do të mbledhim kryesinë që të marrim vendime të rëndësishme për shqiptarët. Në takimin e sotëm me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev nuk është diskutuar për nënshkrimet për formimin e qeverisë së re, por për qëndrimet e ndryshme mes BDI dhe LSDM. Edhe ekspertët nga të dy partitë pritet të gjejnë zgjidhje të përbashkët. Mund të them se s’kemi dallime të mëdha rreth propozimit për përdorimin e gjuhës shqipe” tha Ahmeti pas takimit treorësh me Zaevin.

Për mediat në gjuhën maqedonase nuk ishte siguruar përkthim nga deklarata e liderit të BDI-së. Ndaj lutjes që të thotë disa fjalë në gjuhën maqedonas, Ahmeti kërkoi që të ndihmojnë kolegët shqiptarët gazetarë.

Në pyetjen e gazetarëve, Ahmeti tha se me kreun e Socialdemokratëve kanë biseduar në maqedonisht.

Paraprakisht, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se në takim është biseduar për kushtetutshmërinë e vendimeve të propozuara, por theksoi se nuk preket Kushtetuta edhe nëse kjo i kushton marrjen e nënshkrimeve.