Maqedoni Zaev nuk pret shtyrje të zgjedhjeve

Zaev nuk pret shtyrje të zgjedhjeve

LSDM do të bëj çmos që të ketë sukses Marrëveshja e Përzhinos dhe mos ta humbim rekomandimin e BE-së, deklaroi sot lideri i LSDM-së Zoran Zaev para fillimit të debatit në suazat e projektit “Vizioni për Maqedoni”.

Ai tha se LSDM vazhdon të jetë i angazhuar ndaj marrëveshjes dhe përmbushjes së obligimeve.

“Kemi vetëm disa ditë që të merremi vesh dhe mos ta humbim rekomandimin e BE-së. Gjërat më shumë bllokohen për çështjen e Qeverisë, kompetencat e ministrave dhe zëvendës- ministrave. Jemi plotësisht të angazhuar, bashkëpunues dhe fleksibil” deklaroi Zaev.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, ai tha se nuk beson se ekziston mundësi që zgjedhjet të shtyhen, por se sinqerisht pret se Marrëveshja do të zbatohet plotësisht.

Për thirrjet për mbrojtjen e shtetit dhe barrikadat e njerëzve të afërt me pushtetin, Zaev tha se këto janë vetëm ide të çmendura të individëve.