Maqedoni Sot kalon afati i fundit për anulimin e zgjedhjeve

Sot kalon afati i fundit për anulimin e zgjedhjeve

As LSDM e as VMRO DPMNE nuk lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre rreth datës për zgjedhjet.

Edhe pse sot është dita e fundit që të merret vendim me të cilin do të anulohet vendimi për lëshimin e Kuvendit, tani për tani në Kuvend nuk është dorëzuar nismë për anulim.

Nga LSDM thonë se ata nuk planifikojnë të dorëzojnë propozim- vendim për shtyrjen e zgjedhjeve dhe sipas tyre këtë duhet ta bëj partia që ka kërkuar dhe votuar vendimin e Kuvendit për shpërbërje më 24 prill. Këtë mbrëmë në konferencë shtypi e konfirmoi kreu opozitar, Zaev.

Ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov dje në intervistë për televizionin “Sitel” tha se tani për tani vendimi i VMRO DPMNE-së është që të ketë zgjedhje.

Nga BDI jozyrtarisht thonë se deri më tani nuk kanë dorëzuar nismë, por nuk përjashtojnë këtë mundësi. Thonë se tani për tani situata është status-kuo.

Tre euro- deputetët Ivo Uajgël, Riçard Houit dhe Eduard Kukan që dje arritën në vend, sot në takime me liderët e partive politike do të tentojnë t’i afrojnë qëndrimet rreth datës së zgjedhjeve.

Euro- deputetët nuk do të kenë konferencë të përbashkët shtypi.