Maqedoni PLD kërkon Gruevski të kthej mandatin dhe të formohet qeveri reformuese

PLD kërkon Gruevski të kthej mandatin dhe të formohet qeveri reformuese

Partia Liberal Demokrate kërkon që kreu i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski të kthej mandatin për formimin e qeverisë sepse, siç thonë nga kjo parti, shtetit i nevojitet qeveri që do të filloj me reforma rrënjësore të bazuara në rekomandimet e raportit të Pribes.

“Edhe pas një jave nga dorëzimi i mandatit, Nikola Gruevski nuk po arrin të formoj qeveri. Përkundrazi, ai edhe më tej po luan me durimin e qytetarëve, të cilët qartë më 11 dhjetor votuan për ndryshime dhe ndërrim të regjimit. Të gjithë politikanët e dyshuar nga PSP për krim, s’mund dhe s’guxojnë të formojnë qeveri. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje Gruevskit që të kthej mandatin” thuhet në njoftimin e PLD-së.

Prej atje thonë se në Maqedoni patjetër duhet të kthehet sundimi i të drejtës dhe respektimi i institucioneve të sistemit.

“Në mesin e prioriteteve të Qeverisë së re do të jenë edhe reformat për gjyqësor të pavarur si dhe vazhdimin e punës së PSP-së dhe, më në fund, fillimin e proceseve gjyqësore kundër zyrtarëve të pushtetit dhe elitave të korruptuara, të përfshira në krim, korrupsion dhe mashtrime zgjedhore”, deklarojnë nga PLD.