Maqedoni Nuk ka kushte minimale për zgjedhje të besueshme, porositën organizatat civile

Nuk ka kushte minimale për zgjedhje të besueshme, porositën organizatat civile

Disa Organizata joqeveritare sot ambasadorit të SHBA-së, Xhes Bejli dhe euro- ambasadorit Aivo Orav ua dorëzuan letrën e tretë ku tregojnë se nuk janë plotësuar kushtet minimale për zgjedhje të besueshme. Ata prej orës 18-të do të mbajnë protestë para Kuvendit me kërkesë për anulimin e zgjedhjeve.

“Nuk mjafton vetëm progres në reformat zgjedhore që të krijohen kushte për tejkalimin e krizës politike, por nevojitet edhe progres në sfera tjera si sundimi i të drejtës dhe të drejtat esenciale, depolitizimi i administratës publike dhe liria e shprehjes. Vendimi njëanësh për shpërndarjen e Kuvendit është akt jokushtetues, që njëkohësisht është kundër parimeve e konsensusit në kornizat e Marrëveshjes së Përzhinos” thotë Andreja Stojkovski nga “Qendra maqedonase për arsim evropiane”.

OJQ-të dënuan vendimin e Ivanov për faljen e politikanëve dhe kërkuan dorëheqjen e tij si dhe anulimin e zgjedhjeve.

“Konsiderojmë se është e domosdoshme tërheqja e këtij vendimi dhe dorëheqjen e presidentit Gjorgje Ivanov. Presim thirrje të sërishme të Kuvendit dhe vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve” tha analisti Ramadan Ramadani.

Nëse nuk plotësohen kushtet për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike, OJQ-të paralajmëruan bojkot të zgjedhje nëse caktohen për 5 qershor dhe do të bëjnë thirrje kundër regjimit që shkel të drejtat e njeriut.