Maqedoni Kurc: Në mitingun mora pjesë si anëtarë i partisë simotër dhe këtu...

Kurc: Në mitingun mora pjesë si anëtarë i partisë simotër dhe këtu s’ka asgjë kontestuese

Në mitingun e djeshëm të VMRO DPMNE-së mora pjesë si anëtar i Partisë Popullore Evropiane dhe këtu s’ka asgjë kontestuese, tha ministri i jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurc si përgjigje në pyetjen e gazetarëve pas takimit të sotëm me homologun e tij maqedonas, Nikolla Poposki.

“Këtu jam si ministër i jashtëm i Austrisë. Dje isha në manifestim partiak, prezent si përfaqësues  i Partisë Popullore të Austrisë. Për mua nuk është e pazakontë që të vizitoj ngjarje në parti politike simotër. Në fjalimin tim nuk u tregova njerëzve për kë të votojnë. U thash që të dalin në zgjedhje, por vendimin duhet ta sjellin ata” tha Kurc.

Kurc shtoi se u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të dalin në zgjedhje ndërsa kujt do t’ia japin votën, vendosin vetëm ata.

Ministri austriak në deklaratën e tij pas takimit me Poposkin theksoi se zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe korrekte si dhe zbatimi i reformave prioritare do ta kthejnë Maqedoninë në rrugën e euro- integrimeve.

“Shpresoj që do të bëni hapa të rëndësishëm reformues, para se gjithash për përforcimin e shtetit të së drejtës dhe në drejtim të asaj çfarë është e rëndësishme e këto janë zgjedhjet korrekte dhe të lira. Nëse bëhet kjo, atëherë Maqedonia është në rrugën e duhur drejt BE-së dhe NATO-s dhe kuptohet hapjen e bisedimeve” tha Kurc.

Ministri Poposki falënderoi mbështetjen e Austrisë duke thënë se Maqedonia punon për hapjen e bisedimeve në fokus të veçantë të kapitujve elementar 23 dhe 24 nga bisedimet.

Dy ministrat në takimin e sotëm miratuan plan aksionar për bashkëpunim për vitin 2017, në lidhje me integrimin në BE, bashkëpunim në procesin e Berlinit si dhe bashkëpunim lidhur me kryesinë austriake me OSBE-në në vitin 2017-të.

Dje ministri Kurc u paraqit në mitingun qendror të VMRO DPMNE-së në Shkup ku mbajti fjalim para qytetarëve duke theksuar se Maqedonia është drejt rrugës së BE-së.

“Kriza e refugjatëve ishte sfidë e madhe për Austrinë. Jam shumë falënderues që ma mbështetët në këtë situatë të rëndë për ne. Ju dëshiroj fat dhe energji në fushatën zgjedhore” tha Kurc.