Bota Ballkan Kosovarët tejkaluan sirianët në kërkim të azilit në Austri

Kosovarët tejkaluan sirianët në kërkim të azilit në Austri

Banorët e Kosovës në janar u bënë grupi më i madh që paraqitën aplikimet për azil në Austri. Me dorëzimin e 1029 kërkesave, kosovarët tejkaluan numrin e sirianëve të cilët braktisin vendin e tyre.

Në janar të këtij viti, gjithsej 910 sirianë kanë aplikuar për azil në Austri. Në vendin e tretë janë afganët, me 622 aplikime dhe të katërt me radhë janë irakianët me 286 kërkesa.

Vitin e kaluar, sirianët kanë qenë grupi më i madh i refugjatëve që kërkojnë azil në Austri, kurse në vendin e dytë ishin afganët dhe rusët, ndërsa kosovarët ishin të katërt.

Ministra e punëve të brendshme të Austrisë, Johanna Miklea-Lajtner mes të muajit të kaluar ka kërkuar ndryshime në procedurat për marrjen e vendimeve për aplikimet për azil. Ajo theksoi se dëshiron të implementojë procedurë të përshpejtuar për zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve që vijnë nga të ashtuquajturat “vendet e sigurta”, e cila përfshin edhe Kosovën.