Maqedoni Gruevski: BDI nuk ka lëshuar Qeverinë, vetëm do të ndërroj ministrat

Gruevski: BDI nuk ka lëshuar Qeverinë, vetëm do të ndërroj ministrat

BDI mbetet edhe më tej në qeveri, ka thënë sot lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Gruevski tha se në ditët e fundit nuk ka pasur ndonjë takim me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, por nuk e përjashton mundësinë që të takohen së shpejti.

“Nuk është e vërtetë se ne jemi të vetëm në qeveri, ne dhe LSDM-ja. Nga ajo që unë di, vendet janë të hapura për BDI-së dhe se partia nuk ka braktisur pushtetin dhe mund të caktojë kuadro të reja, pasi që ka të drejtë që të zëvendësojë ata që janë tërhequr”, tha Gruevski.

BDI të enjten njoftoi se kryesia e partisë ka marrë vendim që të gjithë ministrat të tërhiqen nga Qeveria.

Dje BDI doli me njoftim më të gjerë ku shpjegoi vendimin ndërsa theksi u vu në regjistrimet e bisedave të zyrtarëve të lartë të partisë që vërshuan opinionin dhe përgjegjësinë për përhapjen e tyre.