Maqedoni Dështojnë bisedimet për mediat- partitë nuk arrijnë marrëveshje

Dështojnë bisedimet për mediat- partitë nuk arrijnë marrëveshje

Ndërmjetësi belg Piter Vanhaute vonë mbrëma konfirmoi se partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me rregullimin e mediumeve.

“Negociojmë në mënyrë intensive dhe atë që mund ta them është se për momentin nuk kemi marrëveshje” tha Vanhaute.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se kush është fajtor për dështimin e bisedimeve, Vanhaute tha se në to kanë marrë pjesë katër partitë politike dhe se të gjithë kanë përgjegjësi për këtë mossukses.

Siç tha lehtësuesi belg, mossuksesi i partive që të arrijnë marrëveshje për mediumet do të ndikoj në vlerësimin që ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në vend duhet ta njoftojnë nesër rreth asaj nëse ka kushte për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.

Në profilin e tij në Twitter, Vanhaute shkroi: “Nuk është arritur marrëveshje për mediumet. Nuk janë caktuar bisedime të mëtutjeshme, përveç nëse partitë nuk e kërkojnë këtë. Ne jemi në dispozicion për diskutime të mëtutjeshme”.