Maqedoni Ambasada e SHBA-së me “tuit”, BDI ndërron mendje dhe nuk do t’i...

Ambasada e SHBA-së me “tuit”, BDI ndërron mendje dhe nuk do t’i votoj ndryshimet e LPP

BDI nuk do të votoj për ndryshimet e Ligjit për procedurë penale (LPP) nëse nuk ka konsensus mes partive më të mëdha politike. Këtë e njoftoi nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Aliti me çka zvogëlohen mundësitë këto ndryshimet të votohen në Kuvend para lëshimit të tij.

Njëri prej propozuesve të këtyre ndryshimeve ishte deputeti i BDI-së, Musa Ibraimi së bashku me deputeten e VMRO DPMNE-së, Svetlana Jakimovska.

Që të votohen ndryshimet e Ligjit për procedurë penale nevojiten 82 vota, që është vështirë nëse nuk votojnë deputetët e BDI-së.

Grupi i deputetëve të LSDM-së është kundër propozimit për ndryshime në LPP sepse vlerësojnë se kjo bëhet pas paralajmërimeve të PSP për hapjen e disa lëndëve ku janë të përfshirë disa zyrtarë të VMRO DPMNE-së.

Dje, ambasada e SHBA-së në Maqedoni njoftoi se është e befasuar nga nisma e VMRO DPMNE dhe BDI për ndryshime në Ligjin e procedurës penale. Në Twitter-in e tyre thuhet:

“SHBA-ja me vite ndihmon Maqedoninë lidhur me Ligjin e procedurës penale. Grupi i punës ka shumë rekomandime. Për këtë jemi të befasuar nga amendamentet e propozuara. Pse tani? Pse e gjithë kjo nguti? Pse këto ndryshime?” thuhet në tuitin e ambasadës.