Korrespondentë Ahmeti: BDI nuk mori vendim sonte, nuk përjashtohet takim i ri liderësh

Ahmeti: BDI nuk mori vendim sonte, nuk përjashtohet takim i ri liderësh

Kreu i BDI-së sonte në selinë partiake në Reçicë të Vogël njoftoi se partia ende nuk ka vendim të fortë për dalje nga kriza, por porositi se zgjedhjet e parakohshme, që i kërkon VMRO DPMNE, nuk do ta zgjidhnin krizën. Ahmeti gjithashtu paralajmëroi se është i mundshëm një takim i ri i liderëve.

Me thirrje urgjente nga Ahmeti, sot pasdite dhe në orët e vona të natës, në Reçicë të Vogël kuvend kishte Kryesia qendrore e BDI-së, me qëllim që të gjendet zgjidhje për zhbllokimin e Kuvensit.

Seanca e kryesisë ka mbaruar ndërsa seancë tjetër parashihet pas një jave.

“Biseduam për zhbllokimin e gjendjes gjegjësisht të japin dorëheqje ministrat e BDI-së, por për këtë ekzistojnë dy interpretime. Gjegjësisht, ministrat e BDI-së të japin dorëheqje, por s’kanë ku t’i dorëzojnë ato. Interpretimi i dytë është se ato patjetër do të duhet të japin dorëheqje, por do të duhet t’i kryejnë funksionet deri në formimin e Qeverisë së re”, shpjegoi kreu i BDI-së.

Sipas Ahmetit, në seancën e sotme urgjente është biseduar edhe për thellimin e problemit me pushtetin lokal sepse në garniturat e deritanishme në komunat mandatet u mbarojnë kah mesi i muajit maj.

“Për këtë, ky problem duhet të tejkalohet sepse nuk do të kemi as kryetarë, as Këshilla, por që të zgjidhet, patjetër të funksionojë Kuvendi”, tha Ahmeti.