Korrespondentë Në Shtip uji i ujësjellësit edhe më tej nuk është për konsumim

Në Shtip uji i ujësjellësit edhe më tej nuk është për konsumim

Sot priten rezultatet nga Instituti i shëndetit publik dhe vërtetimi për rregullsinë e ujit për pije nga ujësjellësi i qytetit në Shtip. Në ndërkohë, uji, tanimë katër ditë, është i ndaluar për pije dhe mund të përdoret vetëm si ujë teknik.

“Reshjet e mëdha vërshuan puset prej ku me ujë të pijshëm furnizohen banorët e Shtipit. Uji nga aspekti bakteriologjik dhe kimik është në rregull, por është i turbullt”, njoftuan nga NP “Isar”.

Nëpër qytet qarkullojnë cisternat me ujë ndërsa është siguruar edhe donacion me ujë të ambalazhuar.

Prej sot në terren gjenden ekipet e komunës Shtip të cilat kryejnë verifikimin dhe evidentimin e dëmeve nga moti. Më shumë dëme kanë përjetuar banorët e rajonit të Lakavicës, ku ka shtëpi dhe mbjellje të vërshuara.

Banorët njoftojnë se dëmet janë më të mëdha se 90%.