Maqedoni VMRO DPMNE braktis bisedimet për mediumet, Vanhaute pret të kthehen

VMRO DPMNE braktis bisedimet për mediumet, Vanhaute pret të kthehen

VMRO DPMNE-ja ka braktisur bisedimet për mediat për shkak të mospajtimeve me  shumicën e propozimeve të shpalosura nga ndërmjetësi Piter Vanhojte. Lajmin e ka kumtuar opozitarja LSDM e cila ka akuzuar se VMRO po vazhdon të mos respektoj detyrimet e marrëveshjes politike.

Nga LSDM thonë se kjo është strategji e njohur nga VMRO DPMNE për evitimin e obligimeve të Marrëveshjes së Përzhinos.

“VMRO-DPMNE vazhdon me strategjinë  e zvarritjes dhe mosrespektimit të obligimeve të dala nga marrëveshja e 2 qershorit dhe 15 Korrikut. Rregullimi I mediave është ndër kriteret kryesore pa të cilin zgjedhjet fer, demokratike dhe të rregullta do të jenë të pamundura. Me këtë sjellje, VMRO-DPMNE e vë në pikëpyetje Marrëveshjen e Përzhinës”- thuhet në reagimin e LSDM-së.

Ndërmjetësi belg Piter Vanhaute pret partitë në afat sa më të shpejtë kohor të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Nga partia në pushtet nuk ishin të kapshëm për deklaratë lidhur me shkaqet e lëshimit të takimit.