Maqedoni Kuvendi nuk kishte kuorum, nuk mori mandatet LSDM-së

Kuvendi nuk kishte kuorum, nuk mori mandatet LSDM-së

Dështoi marrja e mandateve të deputetëve të LSDM-së. Për shkak të mungesës së kuorumit, respektivisht 2/3-tave të votave të nevojshme, krye-parlamentari Trajko Veljanovski në seancën e sotme nuk arriti të konstatonte dorëheqjet e deputetëve të opozitës. Ajo që ra në sy në seancën e sotme parlamentare ishte fakti se deputetët e BDI-së të pranishëm në sallë u përmbajtën nga votimi i pikës së vetme të rendit të ditës, respektivisht marrjes së mandateve të opozitës. Nga ana tjetër, edhe pse filloi procedura për konstatimin e dorëheqjeve, asnjë nga deputetët e shumicës parlamentare nuk u paraqit për fjalë. Procedura vijoji e njëjtë për të gjithë deputetët, për të cilët fillimisht hapej debati, ndërkohë që votimi dështonte për shkak të mungesës së 2/3 të deputetëve.

“Iu bëj thirrje propozuesit dhe deputetëve që duan të marrin fjalën në debatin për marrjen e mandatit të deputetit Alen Georgiev, të paraqiten për fjalim”, tha Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit.

Veljanovski nuk bëri të ditur se kur do ta caktojë seancën e radhës, me të njëjtin rend dite, vetëm për procedurën e votimit të marrjes së mandateve. Ndërkaq nga LSDM-ja reaguan duke thënë se gjithçka që ndodh në 8 muajt e fundit në Parlament, lidhur me mandatet e opozitës, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Nga LSDM-ja ritheksuan se i mbeten besnik qëndrimit për të mos u kthyer në parlament, për aq kohë sa qeveria nuk pranon bisedime për temat kryesore që sipas saj, do të rikthenin demokracinë dhe të drejtën për zgjedhje të lirë të qytetarëve.