Maqedoni Takim i ri i grupit të punës për Marrëveshjen në Przhino

Takim i ri i grupit të punës për Marrëveshjen në Przhino

Sot pasdite pritet të mbahet takim i ri i grupeve të punës lidhur me marrëveshjen e 2 qershorit. Takimi do të mbahen edhe në praninë e ekspertëve ndërkombëtarë të drejtuar nga eksperti belg Piter Vanhojt, përfaqësues të OSBE-së dhe OJQ-së “Most”. Pika e parë që është hapur tashmë për shqyrtim nga ekspertët, janë zgjedhjet. Grupet punuese do të shqyrtojnë të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian, ato të OSBE-ODIHR nga zgjedhjet e kaluara, vërejtjet e fundit nga Pribe ndërkohë që do të preken të gjitha aspektet, si legjislaturën zgjedhore, Komisionin Shtetëror Zgjedhor, listën e votuesve etj.

Për listën e zgjedhjeve ekziston një propozim në tavolinë që parashikon paraqitjen aktive të qytetarëve të interesuar, para procesit zgjedhor. Por, ka edhe versione të tjera si kontrollim i listës aktuale zgjedhore përmes kontrolleve në terren. Sa i përket legjislativës zgjedhore, grupet do të shqyrtojnë edhe modelin zgjedhor, njësitë zgjedhore si dhe votimin e diasporës. Jo-zyrtarisht mësohet se OSBE-ja dhe KE-ja kanë kërkuar heqjen e deputetëve të diasporës pasi me zgjedhjen e tyre shkaktohet pabarazi në peshën e votuesve dhe numrin e votave me të cilat zgjidhjet një deputet.

Grupet punuese gjithashtu do të debatojnë edhe për ndryshimin e formatit dhe kompetencave të Komisionit Shtetëror Zgjedhorë. Përbërja aktuale e KSHZ-së do të shkarkohet në tërësi dhe do të zgjidhen anëtarë të rinj, ndërsa atyre do t’u jepen edhe më shumë kompetenca. Ajo që karakterizon punimet e grupeve të punës është shmangia e tyre nga sytë e opinionit. Asnjëra nga katër partitë politike nuk jep vendin dhe kohën e saktë të takimit të sotëm, ndërsa jozyrtarisht mësohet se VMRO-DPMNE ka kushtëzuar që nëse gazetarët mësojnë kohën dhe vendin, mbledhja do të anulohet.