Maqedoni Ku ngeci shlyerja e borxheve: Nga 42 000 kërkesa vetëm 200 zgjidhje

Ku ngeci shlyerja e borxheve: Nga 42 000 kërkesa vetëm 200 zgjidhje

Qëkur më 1 nëntor në Veles u ndanë 200 vendimet e para për shlyerje të borxheve të qytetarëve të kategorive të ndjeshme, deri sot nuk janë ndarë të tjera, reagojnë qytetarët. Sipas tyre edhepse ministri për financa Zoran Stavreski, premtoi se i gjithë procesi për këtë masë të Qeverisë do të përfundojë më së voni deri 25 nëntor, edhepse kanë bërë kërkesë, gjer më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. -Qysh në fillim, kur ishte paralajmëruar masa, shtrova kërkesë për shlyerje të borxhit ndaj bankës në përputhje me kushtet, për shkak të sëmundjes. I bashkangjita të gjitha dokumentet e nevojshme dhe që kërkoheshin, por edhe në ditën e sotme nuk kam marrë asnjë përgjigje. Mendoj se deri edhe nëse jam refuzuar, duhet të marr ndonjë lajmërim që të mos jetoj me shpresë-thotë për “Meta” banor i lagjes së Shkupit Miçurin, i cili dokumentat i ka dorëzuar në Qendrën ndërkomunale të punës sociale në komunën Aerodrom. Ministri i financave, Zoran Stavreski, për ndarjen e 200 vendimeve të para në Veles, theksoi se janë përpunuar të gjitha vendimet që mundej të mbaroheshin dhe kështu do të vazhdohej gjatë nëntorit. -Pres që gjatë nëntorit të përmbyllet procesi dhe në fund të nëntorit të gjithë qytetarët që plotësojnë kushtet ligjore, e këta janë kategoritë më të varfëra të qytetarëve, të marrin vendime për shlyerje të borxhit-shtoi Stavreski. Parashtirimi i kërkesave për shlyerje të borxheve filloi më 18 gusht, ndërsa afati i fundit ishte 13 tetori. Ishin ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonsë të shlyejnë borxhet për kartelat kreditore, tejkalimin e llogarive të transakcionit ndaj bankave afariste dhe kursimoreve, si dhe borxhet të energjisë elektrike ndaj EVN-së, energjisë së ngrohjes ndaj “Ngrohtores” dhe për taksën radiodifuzive ndaj MRTV-së, nëse i plotësojnë kushtet sipas shpalljes.