Maqedoni A e kanë incizuar kamerat e sigurisë sulmin me armë në Qendrën...

A e kanë incizuar kamerat e sigurisë sulmin me armë në Qendrën Klinike?

Tre ditë pas sulmit të armatosur ku u plagos kirurgu i Qendrës klinike për kirurgji digjestive, kompetentët nuk tregojnë se tërbimi i të dyshuarve është regjistruar nga kamerat dhe nëse ato fare punojnë.

Në vitin 2008 Ministria e shëndetësisë mori dhe instaloi rreth 1200 kamera në Qendrën klinike dhe objektet tjera shëndetësore për çka u shpenzuan rreth 1 milion euro.

Dje tentuam të marrim përgjigje nga Ministria e shëndetësisë, që para shtatë viteve promovoi dhe realizoi projektin për video- mbikëqyrjen në objektet shëndetësore dhe klinikat, por prej atje na drejtuan te drejtori i Klinikës për kirurgji digjestive, sepse siç na thanë, çdo klinikë veçmas është përgjegjëse për kamerat.

Sot nga biseda e shkurtë me drejtorin e Klinikës për kirurgji digjestive Aleksandar Karagjozov nuk morëm përgjigje konkrete për atë nëse kamerat punojnë dhe nëse incidenti është kapur nga mbikëqyrja e videos.

“Dje biseduam dhe po verifikojmë. Unë edhe më herët kërkova që të aktivizohen kamerat, të paktën nëpër korridore” tha Karagjozov.

E pyetëm nëse kjo do të thotë se ato nuk punojnë.

“Punonin. Se a punojnë tani, nuk e di. Unë nuk mund t’i kontrolloj regjistrimet, e di se për këtë ka njeri që paguhet” tha Karagjozov.

Për atë nëse është incizuar incidenti në momentin e ngjarjes pyetëm edhe në Prokurorinë publike, por edhe prej atje nuk morëm përgjigje.

Kamerat në institucionet shëndetësore dhe klinikat u lëshuan në përdorim kah fundi i dhjetorit vitin 2008-të.

Siç shkruanin atëherë mediumet, bëhej fjalë për projektin e Ministrisë së shëndetësisë ndërsa ministër në atë kohë ishte Bujar Osmani.