Maqedoni Bushati: Vendosja e Platformës shqiptare në Kushtetutë do të ketë efekte pozitive

Bushati: Vendosja e Platformës shqiptare në Kushtetutë do të ketë efekte pozitive

Në Maqedoni ka krizë të thellë demokratike ndërsa Nikola Gruevski dhe partia e tij tentojnë të transformojnë krizën demokratike në ndëretnike, ka deklaruar shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati në intervistë për “Euroaktiv”.

“Nuk ekziston Platformë e Tiranës, ekziston dokument i shkruar nga tre prej katër partive shqiptare që janë pjesë e Kuvendit aktual dhe të cilët ne i mbështesim sepse në këtë dokument fillimisht shohim përpjekje të qartë të shqiptarëve që ta mbajnë Maqedoninë të bashkuar, më pas të kërkojnë harmoni më të mirë ndëretnike në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e treta të zbatohet Marrëveshja e Përzhinës dhe e katërta të zhbllokohet rruga e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së përmes normalizimit të raporteve me Greqinë, Bullgarinë dhe kuptohet, me Shqipërinë dhe Kosovën”, ka thënë Bushati.

Ndaj pohimeve se elementi kyç i Platformës së Tiranës është që gjuha shqipe të merr statusin e gjuhës zyrtare në Maqedoni, që do të thotë ndryshim të Kushtetutës, Bushati thotë se kjo nuk do të thotë federalizim të shtetit.

“Nuk e di si mundet emërimi i gjuhës shqipe si zyrtare do të thotë edhe federalizim të shtetit. Por, kur jemi tek Marrëveshja e Ohrit dhe burimin e përplasjeve mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni, është e qartë se zbatimi i obligimeve nga kjo marrëveshja është në nivel të lartë. Ekzistojnë tendenca nga Gruevski dhe të tjerë që të konsiderohen shqiptarët si punonjës sezonal në vendin e tyre. Nuk ekziston përpjekje serioze që të sigurohet harmoni ndëretnike në vend. Në 5-6 vitet e fundit shoqëria është ndarë në linja etnike. Mendoj se përfshirja e platformës shqiptare në Kushtetutë, në kornizën e saj juridike, do të jep rezultate pozitive për dy grupet etnike në Maqedoni apo për dy grupet kryesore etnike, maqedonasit dhe shqiptarët”, ka thënë më tej Bushati.