Korrespondentë Arifi: Kontrollet e shpeshtë në Komunën e Tetovës kanë motivim politik

Arifi: Kontrollet e shpeshtë në Komunën e Tetovës kanë motivim politik

Kontrollet që institucionet e shtetit i bëjnë ndaj organeve të vetëqeverisjes lokale janë të motivuara politikisht para formimit të Qeverisë së re, tha kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi pasi javëve të fundit disa institucione nën patronazh shtetëror, kontrollonin punën e autoritetit komunal. Arifi shton se kontrollet e këtilla nuk janë në interes të qytetit dhe popullit.

“Nuk besoj që këto kontrollet bëhen në interes të qytetit. Po të donin të punojnë në interes të qytetarëve, institucionet e shtetit do të kontrollonin ku kanë përfunduar paratë për ujësjellësin i cili ndërtohej një kohë më të gjatë, do të kontrollonin si hapen kazinotë në Tetovë, leje që nuk i jep komuna, por institucionet e shtetit”, thotë Arifi.

Ajo shtoi se kontrollet e këtillë bëhen në patronazhin e individëve të caktuar, që i keqpërdorin institucionet e shtetit për synime personale politike.

Para dy javëve, Inspektorati Shtetëror i Punës kreu kontroll në zyrat e komunës së Tetovës, me qëllim që të vërtetohet nëse po respektohet Ligji për ndalesën e duhanit.

Javën e kaluar, Prokuroria Themelore Publike pas denoncimit të policisë, kontrollonte nëse organet e Komunës së Tetovës e kanë respektuar ligjin kur kanë dhënë leje për tarracat verore. Për këtë qëllim, kanë realizuar kontrolle mbi 74 objekte hotelierike.