Maqedoni Anulohet takimi i liderëve në Vjenë

Anulohet takimi i liderëve në Vjenë

Tani për tani nuk ka njoftim zyrtar nga Brukseli për anulimin e takimit e as informacion se kur mund të mbahet i njëjti.

Delegacioni i BE-së në Shkup të martën deri te katër liderët e vendit dërgoi ftesë për takim liderësh në Vjenë, në emër të komisarit dhe euro- deputetëve. Deri më sot, pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar vetëm VMRO DPMNE dhe BDI. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev dje në konferencë shtypi tha se partia e tij nuk do të merr pjesë në takim derisa nuk tërhiqet vendimi i presidentit Ivanov për faljen e politikanëve dhe nëse nuk thirret Kuvendi për mbajtjen e zgjedhjeve, të caktuara për 5 qershor.

Kriza politike në vend u thellua pasi Ivanov vendosi t’i ndal proceset gjyqësore kundër politikanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe pasi kryetari i KSHZ, Aleksandar Çiçakovski dhe anëtarët e LSDM-së e lëshuan seancën ku u votua pastrimi i listës zgjedhore dhe kushtet për zgjedhje të besueshme.

Shefi i kabinetit të BDI-së, Artan Grubi në profilin e tij në Facebook shkroi se kriza duhet zgjidhur në Shkup.

“Kriza duhet të zgjidhet në Shkup menjëherë nga ana e politikanët e përgjegjshëm. Ne mbështetim përpjekjet qëllimmira të komunitetit ndërkombëtarë që t’i vihet fund krizës” shkroi ai.