Bota Ballkan Shqipëria rrit nivelin e sigurimit

Shqipëria rrit nivelin e sigurimit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në seancë të jashtëzakonshme nga të gjitha institucionet kërkoi të ndërmerren masa plotësuese për rritjen e nivelit të sigurisë.

Rama kërkoi masa shtesë të sigurisë në objektet me rëndësi jetësore, kalimet kufitare, linjat kufitare, objektet ushtarake, portet, aeroportet, shkollat, spitalet, vendet ku tubohen më shumë njerëz, centralet hidroelektrike, ujësjellësit,qendrat e telefonisë, internetit si dhe televizionet.

Seancën dhe masat plotësuese të sigurisë kryeministri i ka kërkuar pas kërcënimeve se Shqipëria mund të jetë shënjestra e radhës e sulmeve terroriste nga Shteti Islamik, drejtuar nëpërmjet mesazhit për ministrin e punëve të brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri.

“Tani e keni radhën Ju!”

“Do dridheni dhe do të gjunjëzoheni para Allahut”, thekson mesazhi, i cili mbyllet me thirrjet “Allahu Ekber!Allahu është i madh!”.

Pas  këtij mesazhi pjesëtarët e njësitit kundër terrorizmit të policisë shqiptare menjëherë kanë filluar hetimet.

Ky nuk është kërcënimi i parë i xhihadistëve ndaj Shqipërisë, prej ku në vend luftimet e Sirisë janë bashkëngjitur 150 persona, prej të cilëve 15 janë vrarë.