Maqedoni Ahmeti për REL: Ka shumë qendra që punojnë për të krijuar rrëmujë...

Ahmeti për REL: Ka shumë qendra që punojnë për të krijuar rrëmujë në Maqedoni

Ka shumë qendra që punojnë për të dëmtuar integrimet e vendit tonë në BE e në veçanti në NATO, vlerësoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistë për “Radio Evropën e Lirë”.

“Ka shumë qendra që punojnë për të krijuar kaos, mosbesim mes dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarët dhe maqedonasit, sepse këto qendra sigurisht nuk janë pa përvojë dhe e dinë që harmonia, afërsia dhe besimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve që të avancohet shteti është punë e mirë, kjo është për të mirën e Maqedoni dhe, si të them, hedhin shkëndija që të keqësohen këto raporte” tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së në intervistë thekson se në vendet fqinje ka struktura dhe grupacione që duan ta ndajnë vendin për interesa personale.

“Këtu nuk po flas dhe nuk i akuzoj qeveritë e shteteve fqinje, por në të gjitha vendet fqinje ka grupe dhe grupacione që nuk u intereson e ardhshme e shtetit, nuk duan Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së. Ka grupe që duan ta ndajnë shtetin për interesa të caktuar, por këtu pa u keqkuptuar, nuk bëhet fjalë për qeveri të vendeve të rajonit, por flas për grupecione që nuk janë pa ndikim në vend ku punojnë duke u futur me idetë e tyre edhe në vendin tonë, në Shkup dhe shumë qytete të R. Maqedonisë, duke promovuar idenë e tyre përmes rrugëve ilegale” shton Ahmeti.