Bota Ballkan Ahmeti, Kasami dhe Sela në takim me presidenti kosovar Hashim Thaçi

Ahmeti, Kasami dhe Sela në takim me presidenti kosovar Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Prishtinë ka takuar liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni, të cilët i ka përgëzuar për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike

Thaçi, siç njoftojnë nga kabineti i tij, liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, liderit të Besës, Bilal Kasami dhe liderit të Aleancës për shqiptarë, Zijadin Sela i ka uruar për zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Në takimet, sipas kumtesës, është biseduar për “nevojën e koordinimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni që të respektohet vullneti i shprehur i lirë dhe demokratik të shqiptarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”.

“Kryetari Thaçi uroi bashkëbiseduesit për sjelljen e partive politike shqiptare edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, që duhet të reflektohet edhe në riafirmimin e programit dhe përcaktimeve strategjike të shqiptarëve, që janë në interes të ardhmërisë evropiane të Maqedonisë. Në takim, përfaqësuesit e partive politike parlamentare në Maqedoni shprehën  gatishmërinë e tyre maksimalisht të angazhohen dhe në mënyrën më të mirë t’i përfaqësojnë interesat shqiptare, në funksion të avancimit dhe stabilitetit të Maqedonisë në afat më të gjatë”, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit kosovar.

Krerët e BDI-së, Besës dhe Aleancës kah fundi i vitit të kaluar, menjëherë pas zgjedhjeve, ishin në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë, ku gjithashtu është biseduar për gjendjet post- zgjedhore në Maqedoni.