Maqedoni SHGM: Rënie e madhe e lirive të mediave dhe përkeqësim të gjendjes...

SHGM: Rënie e madhe e lirive të mediave dhe përkeqësim të gjendjes së gazetarëve

“Qeveria në vitin 2016 ka shfrytëzuar të gjitha instrumentet e pushtetit që të kufizoj lirinë e fjalës dhe t’i kontrolloj mediat. Mediat vazale i shpërblen me të holla publike ndërsa gazetarët që e kritikojnë vazhdimisht i sulmon dhe u bën presione të ndryshme”, porositi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve prezantoi edhe shifra për shpenzimin e parave buxhetore për mediat.

“Ministritë dhe komunat në Maqedoni vitin e kaluar kanë harxhuar rreth 1,5 milionë euro në mediat e shtypura dhe të internetit dhe në mediat rajonale dhe lokale. Rreth 400.000 euro janë harxhuar në pjesën e parë të vitit të kaluar ndërsa më shumë se 1 milionë euro janë planifikuar të harxhohen në pjesën e dytë. Gjithashtu, nga 80 komunat, vetëm 42 kanë dhënë të dhëna për mjetet e planifikuara për harxhim në pjesën e dytë të vitit 2016”, ka thënë Selmani.

Rekorder është Ministria e shoqërisë informatike dhe administratës me rreth 700.000 euro.

Pjesa tjetër e mjeteve të ministrive dhe komunave janë harxhuar për shpallje dhe parapagimin e gazetave. Më shumë mjete nga komuna për këtë qëllim kanë ndarë komuna Manastir dhe Gostivar, me rreth 60.000 euro apo 50.000 euro në vit.

Nga ministria më shumë mjete për parapagimin e gazetave ka paguar MPB, e cila në vitin 2016 ka dhënë 50.000 euro.

Selmani vuri në dukje edhe se në katër vitet e fundit janë sulmuar më shumë se 40 gazetarë. Rreth gjysma e sulmeve kanë ndodhur në vitin 2016 ndërsa pjesa më e madhe e incidenteve nuk janë zbardhur dhe asnjë dhunues nuk është dënuar.

“Pika e vetme e bardhë në këtë raport është përmirësimi i praktikës gjyqësore për paditë, shpifjet dhe ofendimet ndaj gazetarëve. Për dallim nga viti 2012-të, kur kishte më shumë se 320 padi për shpifje kundër gazetarëve, vitin e kaluar ky numër ishte nën 50”, tha Selmani.