Maqedoni PSP hapi rastin “Trust” për tender milionësh nga ELEM

PSP hapi rastin “Trust” për tender milionësh nga ELEM

Prokuroria Speciale sot hapi procedurën e re hetimore nën emrin “Trust”, prej ku siç njoftoi në konferencë prokurorja speciale, Fatime Fetai mund të shihet “deri ku ka shkuar lufta me konkurrencën për të fituar tender”.

Bëhet fjalë për tender që në vitin 2011 e ka shpallë kompania shtetërore “Elektranat e Maqedonisë” (ELEM) për gërmimin e zgjyrës dhe thëngjillit nga miniera Suvodol nga Manastiri.

Duke dorëzuar dokumente të falsifikuara për pronësi të mekanizimit dhe ekipimit kadrovik, tre kompani, të bashkuara në një konzorcium, e kanë fituar tenderin e ELEM-it, në vlerë prej 1,06 miliardë denarë apo 17.235.772 euri.

Në “Trust” dyshohen tre persona juridik dhe tre fizik. Bëhet fjalë për kompanitë “Transmet” nga Shkup, “Sileks” nga Kratova dhe “Vato” nga Studeniçani.

Ata në tenderin e ELEM-it kanë dërguar dokumentacion të rrejshëm ku kanë treguar pronësi të falsifikuar të mekanizimit të rëndë për gërmim, të cilët e kanë synuar por nuk e kanë porositur ndërsa atë që e kanë poseduar ka pasur kapacitet më të vogël.

Siç njoftoi prokurorja Lençe Ristovska, sot pranë Gjykatës Themelore do të dërgohen kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona.

Hetimi është formuar në bazë të tre bisedave të përgjuara,  prej të cilave dy nuk janë publikuar në opinion.

Në fillim të konferencës, Katica Janeva njoftoi se është zgjeruar edhe hetimi dhe lista e të dyshuarve për rastin “Titanik” për 17 persona, prej të cilëve pesë kanë qenë zyrtarë të lartë të pushtetit ekzekutiv.

Lidhur me marrjen në pyetje të një numri të madh të personave për donacione partiake në Ohër, Ristoska tha se atje janë ballafaquar me situatë të palakmueshme dhe kërcënime. Ajo shtoi se PSP heton nëse ka ndikim ndaj dëshmitarëve dhe prishjen e fshehtësisë së procedurës.