Ekonomi Para kohe shlyhet borxhi ndaj FMN-së

Para kohe shlyhet borxhi ndaj FMN-së

Republika e Maqedonisë  para kohe edhe në tërësi e ka paguar borxhin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Me transaksionin e djeshëm në Uashington, është dërguar edhe kësti i fundit nga linja kreditore për përkujdesje, me vlerë prej 174 milionë dollarëve.

Me këtë, siç kumtoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave Zoran Stavreski, janë kursyer pesë milionë euro në interesa dhe dallime në këmbim valutor, ndërsa është përmirësuar edhe imazhi i vendit pasi borxhi publik dhe shtetëror është zvogëluar për 1,7 përqindje të pikave.

Kredia me vlerë prej 312 milionë dollarëve u mor në vitin 2011, dhe filloi të kthehet kah mesi i vitit 2014.

“Që ta parandalojmë rrezikun e rritjes së mëtutjeshme të dollarit amerikan dhe për të kursyer para, ministria e financave dhe shërbimet e ekspertëve në ministri bëmë një analizë gjithëpërfshirëse duke i marrë parasysh të gjitha skenarët dhe vlerësimet e analistëve më të mëdhenj në botë dhe bankave investuese për rritjen e mëtutjeshme të valutës amerikane ndaj Euros, vendosëm se është më e dobishme dhe më mirë që para kohe të paguhet pjesa e mbetur prej 174 milionë dollarë, si detyrim ndaj FMN-së. Në këtë mënyrë ka më shumë dobi. E para dhe më kryesorja, në bazë të interesit dhe dallimeve në bursa, janë kursyer 5 milionë euro”, tha Zoran Stavrevski, ministër i financave.