Maqedoni Pa përgjegjësi dhe llogaridhënie të institucioneve nuk ka demokraci dhe sundim të...

Pa përgjegjësi dhe llogaridhënie të institucioneve nuk ka demokraci dhe sundim të mirë

Llogaridhënia dhe përgjegjësia e institucioneve janë kyçe për demokratizimin e shoqërisë- është konkluzioni i konferencës finale në suazat e projektit AKTION SEE Vishegrad- Përgjegjësia, teknologjia dhe rrjeti i llogaridhënies institucionale në Evropën Juglindore me temë “Rruga për sundim më të mirë”, që u mbajt sot nën patronazhin e Fondacionit për internet dhe shoqëri “Metamorfozis”.

Ambasadori i Polonisë në Maqedonisë, Jacek Multanovski thotë se organizatat civile janë gardian i vlerave demokratike, të sundimit të drejtës dhe të drejtave të njeriut.

“Koncepti i BE-së kohën e fundit është në pikëpyetje, ka pakënaqësi të madhe ndërsa projekte si ky mund të kontribuojnë për përforcimin e besimit. Teknologjitë janë mundësi e mirë për përhapjen e dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme, por gjithashtu ato mund të ndihmojnë për kërkimin e përgjegjësisë nga politikanët ndërsa pa përgjegjësi s’mund të priten procese demokratike”, thotë Multanovski.

Ambasadorja gjermane në Maqedoni, Kristin Alt’hauzer konsideron se lufta për ruajtjen e shoqërisë civile, demokratizimin dhe sundimin e të drejtës si dhe lufta kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme. Ajo shtoi se këto synime është vështirë të arrihen, por se ia vlen të tentohet.

Nuk mund të kontribuojmë për cilësinë e jetesës nëse nuk ka llogaridhënie dhe përgjegjësi si dhe sundim të së drejtës, konsideron drejtori i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari.

“Është e rëndësishme për ne si organizatë që të gjejmë mënyrë se si sektori civil të kontribuojë për sundimin e mirë. Përmes këtij projekti, me ndihmën e teknologjisë mund të zbulohen mënyra që të kërkohet përgjegjësi dhe sundim të mirë. Ne si OJQ mund të kontribuojmë që të përmirësohet mosbesimi i qytetarëve ndaj pushtetit ndërsa ky mosbesim kohën e fundit është në nivel të lartë”, konsideron Jashari.

Për llogaridhënien e institucioneve në Maqedoni dhe raportin e tyre ndaj mediave dhe gazetarëve, foli edhe Dimitar Tanurov nga agjencia e lajmeve “Meta”. Sipas tij, institucionet e Maqedonisë janë të mbyllura dhe patjetër duhet punuar shumë që të ndryshojë kjo.

“Një pjesë e institucioneve fare nuk i konstatojnë kërkesat me gojë për informacione, kështu që procesi i marrjes së përgjigjes anulohet dhe kjo vështirëson punën e gazetarit. Pjesa më e madhe e institucioneve të shtetit është e mbyllur për mediat kritikuese në veçanti Qeveria zëdhënësi i së cilës asnjëherë nuk u përgjigjet thirrjeve telefonike nga gazetarët”, tha Tanurov.