Maqedoni Pa liderin e Besës filloi takimi i partive shqiptare

Pa liderin e Besës filloi takimi i partive shqiptare

Liderët e partive shqiptare filluan takimin në hotelin “Arka” në Shkup. Në takim kanë marrë pjesë liderët e koalicionit Aleancë për shqiptarët, Zijadin Sela dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti i cili arriti së bashku me Artan Grubin.

Lideri i Besës, Bilall Kasami nuk u paraqit në takim.

Nga Besa dje deklaruan se ai nuk ka pranuar ftesë zyrtare dhe disa herë deklaruan se nuk do të ulen në tavolinë të njëjtë me Ahmetin.

Pritet në takim partitë t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet rreth mundësisë për formimin e qeverisë së re si dhe të bisedojnë për ofertën e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Zijanin Sela dje pasdite para se të fillojë Kryesia qendrore e Lëvizjes për Reforma në PDSH tha se për të janë të papranueshëm propozimet e LSDM-së për përdorimin e gjuhës shqipe, të cilat fliten në opinion.

Kryetari i LR-PDSH nuk deshi të zbulojë për çfarë propozime bëhet fjalë, duke shtuar se partia e tij ngel në qëndrimin për zyrtarizimin e plotë të shqipes.